Shtatzania është një ndër periudhat më të bukura në jetën e një gruaje. Por a munden gratë shtatzëna me praktiku yoga? Po!! Yoga sjell shumë benefite gjatë shtatzanisë! Madje yoga mundet me u konsideru edhe si përgatitje e trupit për lindje. Përmes praktikës së yogas arrijmë të njohim më shumë trupin tonë, ndryshimet që po i pëson; mësojmë të menaxhojmë momentet e ankthit e stresit si dhe të përgatitemi për lindje. Praktika e yogas do të ndikojë që shtatzania të jetë periudhë edhe më e bukur, më e relaksuar duke ndikuar edhe në mirëqenien e foshnjës. Një seancë e yogas përfshin meditim, ushtrime të frymëmarrjes, asana(pjesa e ushtrimeve fizike) dhe relaksim. Të gjitha këto nën kujdesin e instruktorit të yogas sjellin shumë përfitime për gratë shtatzëna.
Meditimi dhe relaksimi do të ndihmojnë në lirimin e stresit, ankthit, përmirësimin e gjumit si dhe ngritjen e vëmendjes e vetëdijës për ndryshimet që ndodhin në trupin e një gruaje.Në yoga mësojmë të marrim kohë dhe të lidhemi më shume me veten e trupin. Në rast të shtatzanisë e njëjta praktikë mund të përdoret për lidhje në mes të nënës dhe fëmijës. Yoga na ndihmon të njohim e të dëgjojmë trupin tonë, pa e ngarkuar atë, përkundrazi në yoga praktikojmë të jetojmë e të përjetojmë të tashmen e momentin. Prandaj nga ana emocionale yoga do të lirojë ndjenjat negative dhe të rris përjetimin e kësaj periudhe kaq të veçantë. Pjesa e ushtrimeve fizike në yoga për gratë shtatzëna përfshin lëvizje të lehta, zgjatje dhe poza të cilat kanë për qëllim lirimin e muskujve, rritjen e fleksibilitetit dhe forcimin e muskujve të zonës së pelvikut. Përderisa rritja e fleksibilitetit ndihmon gjatë lindjes natyrale, forcimi i muskujve ndihmon në mbajtjen e peshës së trupit gjatë shtatzënisë. Me zgjatje e ushtrime të lehta arrijmë të zvogëlojmë dhimbjen e shpinës e të lirojmë tensionin mes nyjeve. Përmes ushtrimeve të frymëmarrjes arrihet rritja e kapacitetit të mushkërive që na ndihmon për frymëmarrje sa më të lehtë gjatë tërë shtatzanisë por edhe në lehtësimin e kontraksioneve gjatë lindjes.
Yoga gjatë tre-mestrit të parë të shtatzanisë mund të praktikohet pa problem. Në tre-mestrin e dytë e tutje preferohet që nëna e re të kujdeset për pozitën e trupit gjatë ushtrimeve. Zakonisht këmbët mbahen më larg njëra tjetrës dhe "forward bend" e "back bends" bëhen deri në gjysëm. Pozat e shtrira në bark dhe ato “twisted” nuk preferohet që të praktikohen gjatë shtatzanisë. Gjithmonë duhet të njoftohet instruktori për zhvillimin e shtatzanisë në mënyrë që të na këshilloj për modifikimin e pozave. Preferohen dy seanca gjatë javës Yoga rekomandohet për një shtatzani sa më të lehtë, më të lumtur e mirëqenie të nënës dhe fëmijës.
Comments