top of page
Writer's picturedodona gashi

Yoga dhe humbja ne peshe

Një prej pyetjeve më të shpeshta që i marr prej personave që fillojnë me yoga është: a dobësohesh më yoga? Fatkeqësisht përgjigja nuk është aq e thjeshtë! Yoga si diciplinë përbëhet nga ushtrimet e frymëmarrjes (pranayama), pozat (asana), relaksimi dhe meditimi. Në ditët e sotme janë disa lloje të yogas që praktikohen në botë si hatha yoga, vinyasa, ashtanga, yin yoga e power yoga. Përderisa hatha yoga përfshin bazën e mësimit të asanave dhe pranayama, - vinyasa, ashtanga dhe power yoga janë lloje më dinamike të yogas gjatë cilave digjen më shumë kalori. Për të humbur peshë nevojitet të digjen më shumë kalori se sa konsumohen. Funksionet themelore të trupit (si frymëmarrja, qelizat reproduktive dhe mbajtja e temperaturës së trupit) përdorin 50-70% të kalorive. Kurse pjesa tjetër e kalorive që djegni varet prej nivelit të aktivitetit fizik. Gjatë një ore yoga mundemi me i djeg prej 200 – 600 kalori varësisht prej llojit të yogas apo përgaditjes tonë fizike.

Asanat apo pjesa e ushtrimeve fizike të yogas konsiderohen më shumë si poza se sa si lëvizje akrobatike. Gjatë asanave janë dy mënyra përmes të cilave djegim kalori dhe tonifikojmë trupin. Përmes lëvizjeve më dinamike në vinyasa, ashtanga apo power yoga; si dhe përmes kontraksionit/tkurrjes izometrike të muskujve gjatë mbajtjes së pozave në yin yoga apo hatha yoga.

Kontraksionet izometrike të muskujve zhvillohen kur gjatësia e muskujve mbetet e njëjtë dhe trupi qëndron në një pozitë duke tkurrur muskujt. Përmes këtyre lëvizjeve arrihet tonifikimi dhe forcimi i muskujve. E tanimë është e ditur që muskujt e zhvilluar djegin më shumë kalori! Gjithashtu, kur kalimi nga një pozë në tjetrën zhvillohet me lëvizje të rrjedhshme e dinamike të koordinuara me frymëmarrje trupi rrit pranimin e oksigjenit dhe muskujt lirojnë nxehtësi. E vetmja peshë të cilën e përdorim gjatë seancës është pesha e trupit tonë , që është e mjaftueshme për me i ngrit të rrahurat e zemrës. Definitivisht gjatë një ore yoga djegim mjaft kalori sidomos kur seanca i përshtatet gjendjes tonë fizike apo kërkesave të trupit. Por djegja e kalorive nuk është e vetmja mënyrë përmes së cilës mundemi me humb peshë me yoga. Janë edhe dy gjëra tjera që duhet mbajtur mend!! Nën një, yoga ka për qëllim lirimin e energjisë ne trup PRANA ku përmes frymëmarrjes, pozave dhe balancimit të chakrave apo qendrave të energjisë arrijmë qarkullimin e energjisë në tërë trupin duke stimuluar funksionin e organeve vitale të trupit, organeve të tretjes, gjëndrës tiroide, si dhe balancimin e tërë trupit.

  • Nën dy, yoga na ndihmon me “mindfulness” apo ndërgjegjësim. Përmes praktikës së yogas rritet vetëdija, koncentrimi dhe vëmendja për momentin dhe të tashmen. Rrjedhimisht jemi më të vetëdijshëm si për ushqyerjen, gjendjen tonë emocionale apo tensionin që mbajmë në trup. Përmes relaksimit, uljes së nivelit të stresit ulet edhe niveli i kortizolit në trup. Kortizoli si hormon i cili në reagim ndaj stresit rritet, stimulon oreksin dhe ndikon që kaloritë shtesë të konvertohen në yndyrë. Nën ndikimin e kortizolit yndyra e akumuluar ndikon në zhvillimin e rezistencën ndaj insulinës dhe sëmundjeve të zemrës. Duke luftuar stresin, yoga ndihmon normalizimin e niveleve të kortizolit, rregullon oreksin dhe rrit vetëdijen për atë që hamë.


Fatkeqësisht përgjigja për pyetjen a të dobëson yoga nuk është edhe aq e thjeshtë. Të gjithë e dimë se secili trup i ka karakteristikat e veta dhe përderisa për dikënd humbja e peshës vjen shpejt e me lehtësi, për dikënd tjetër merr shumë mund e kohë. Gjithmonë e kemi parasysh se ajo cka funksionon për dikënd, për të tjerët nuk fuksionon. Ajo që është e sigurtë është se me praktikë të rregullt të yogas 3-5 herë në javë, ushqim të shëndetshëm dhe të rregullt mund të arrihet jo vetëm humbje në peshë por edhe mirëqenie e plotë e trupit dhe mendjes. Sepse ë me rëndësi se sa numrat në peshore apo masa e rrobave është ajo se si ndihemi brenda. Arritja e një qetësie të brendshme, shëndeti të mirë dhe lehtësie në trup është qëllimi primar i yogas!!


8 views0 comments

Recent Posts

See All

Kommentarer


bottom of page